“Vërtet do ta Marr Këtë Gjë me Besim”
Xhorxh Rikfordi dhe Kufizimi i Priftërisë
Xhorxh Rikfordi, 2012
Është e vështirë t’i vihet faji Xhorxh Rikfordit për përgjigjen e tij ndaj pleqve [eldërave] të cilët i thanë në vitin 1969 se, ngaqë kishte gjurmë të gjakut afrikan në trashëgiminë e tij racore të përzier, ai nuk do të shugurohej në priftëri nëse do të bashkohej me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
“Pata një reagim tepër armiqësor”, kujtoi Rikfordi 30 vjet më vonë. “U bëra shumë i ashpër dhe pas një diskutimi me tone disi të nxehta i përzura nga shtëpia. … I sulmova me fjalë tepër të rënda rreth diskriminimit dhe racizmit dhe me gjithfarë llojesh të atyre fjalëve.”1
Por Rikfordi nuk ishte thjesht i zemëruar; ai ishte i dërrmuar. Pas tre muajsh hulumtimi të thellë të Kishës, pikërisht atë mëngjes ai ishte zgjuar me bindjen se ishte e vërtetë. E përshkroi veten sikur “shkëlqe[nte] nga brenda” kur pleqtë mbërritën atë ditë, por gjërat u përshkallëzuan përpara se ai të kishte mundësinë t’u tregonte misionarëve për dëshminë e tij të re.
“Vajtova si foshnjë pasi ata ishin larguar”, tha Rikfordi. “Të kisha dy miq, pa dyshim djem të rinj, që të vinin dhe të më thonin se nuk mund ta mbaja këtë gjë të quajtur ‘priftëri’, ma lëndoi krenarinë time, ishte një fyerje dhe unë thjesht isha tërësisht i zhgënjyer.”2
I Thirrur në Shërbimin e Krishterë
I lindur dhe i rritur në Guianën Britanike (sot Guajana) në vitin 1941, Xhorxhi u rrit në një familje të shquar në kishën anglikane, por u bë joaktiv nga fundi i viteve të adoleshencës. Ai e zbuloi sërish besimin e vet kur u shpërngul në Angli në vitin 1963 dhe përkushtimi i tij e çoi aq larg sa të vazhdonte një profesion fetar; ai ishte një person që po përgatitej të bëhej prift në kishën anglikane kur takoi misionarët në verën e 1969‑ës.
Për ca kohë, Rikfordi luftoi kundër asaj që dëgjonte dhe ndiente, por nga shtatori dëshmia e tij për ungjillin e rivendosur po hidhte rrënjë – derisa mësoi për kufizimin e priftërisë.3 Rikfordi u lut me zjarr që të dinte se çfarë të bënte dhe më pas u ndie i detyruar të linte një takim me një mik të ngushtë i cili ishte prift në kishën anglikane. Tri ditë më vonë udhëtoi nga shtëpia e vet në Lajcester për në Londër që të takohej me të. Kur prifti mësoi se Rikfordi ishte takuar me mormonët, ai e qortoi atë dhe e kritikoi ashpër kishën SHDM. Më pas ai i kërkoi Rikfordit ta fillonte nga fillimi dhe t’i tregonte se çfarë i kishin mësuar.
“Fillova të tregoj historinë e Jozef Smithit. … Teksa po e tregoja atë histori, befas u gjallërova, diçka më pushtoi dhe thjesht u çela në fytyrë.”
Xhorxh Rikfordi
“Pra fillova të tregoj historinë e Jozef Smithit”, kujtoi Rikfordi, “dhe e pashë atë duke më parë disi me shumë dyshim dhe shprehja e tij u bë shumë serioze. Teksa po e tregoja atë histori, befas u gjallërova, diçka më pushtoi dhe thjesht u çela në fytyrë.”
Ngaqë e kuptoi se nuk mund të debatonte për dëshminë që po jepte Rikfordi, prifti e këshilloi të merrte një Bibël të mirë me shënime studimi që të qëndronte në shtegun e duhur. Më pas, me një kërkesë për të qenë në kontakt, ai e përcolli Rikfordin në rrugën e tij. “Sapo u largova nga zyra e tij dhe nuk më kujtohet që këmbët e mia po e preknin trotuarin”, tha Rikfordi.4
Në kohën kur Rikfordi u kthye në Lajcester, ishte ora 01:30 e mëngjesit. Ai ishte larguar nga shtëpia duke shpresuar që do t’i bëhej leksion lidhur me “ngatërresën me besime të tjera fetare”, por u kthye me një dëshmi të ripërtërirë dhe ndjenja gëzimi e shprese për të ardhmen. Midis stacionit të trenit dhe shtëpisë së vet, ai u ndje i detyruar të ndalej në një park dhe ta falënderonte Perëndinë për “ditën e mrekullueshme” që sapo kishte përjetuar.5
Pavarësisht nga fuqia e tyre, përvojat e Rikfordit atë ditë nuk ia kishin hequr shqetësimet e tij rreth Kishës. Ai u lut: “O Atë, çfarë të bëj me këtë gjë, sepse nuk e kuptoj”, tregoi ai. “Atëherë pata një përvojë të mrekullueshme si përgjigje. Fjala ‘besim’ u germëzua shkronjë pas shkronje pikërisht para syve të mi të mbyllur dhe e dëgjova veten time t’i përgjigjej asaj. Disa ndjenja të bukura thjesht më pushtuan nga koka te këmbët.”
Fjalë ngushëlluese i erdhën në mendje: “Xhorxh”, ndjeu ai, “nuk duhet të kuptosh çdo gjë rreth ungjillit tim përpara se të zotohesh ndaj tij. Përse nuk e tregon besimin tënd duke e pranuar atë që ke dëgjuar dhe pjesën tjetër të ma lësh mua në dorë? Mos u shqetëso. Kurrë nuk do të të çoj në udhë të gabuar.”6
Rikfordi nuk është se nuk dinte për çështjet shpirtërore dhe tha se e dalloi Shpirtin e Zotit nga ndjenjat që i erdhën atë natë. “Thjesht ndjeva një shkëlqim brenda vetes dhe e dëgjova veten time të thotë, ende me sytë e mi të mbyllur: ‘Po, Zot, do ta marrë. Vërtet do ta marr këtë gjë me besim. Dhe faleminderit, meqë ra fjala, faleminderit!ʼ”7
“Thjesht ndjeva një shkëlqim brenda vetes dhe e dëgjova veten time të thotë, ende me sytë e mi të mbyllur: ‘Po, Zot, do ta marrë. Vërtet do ta marr këtë gjë me besim. Dhe faleminderit, meqë ra fjala, faleminderit!ʼ”
Xhorxh Rikfordi
Besimi i Rikfordit ishte i vërtetë, sikurse ishin edhe ndjenjat shqetësuese që mbeteshin kur mendonte për moslejimin e priftërisë. Misionarët – që e vizituan Rikfordin të nesërmen pavarësisht nga udhëzimi i tij plot zemërim që të qëndronin larg – vazhduan të përballeshin me “shumë pyetje sfiduese” nga Rikfordi, por gjatë muajit pasues Rikfordi vazhdoi ta studionte me qëllim ungjillin.8
Në tetor ai u shkroi një letër misionarëve të cilët po i jepnin mësime, në të cilën ai e quajti hetimin e tij të vazhdueshëm një mrekulli duke marrë parasysh shqetësimet e tij. “Ndoshta ju mund ta quani këtë një veprim besimi”, shkroi ai. Rikfordi ua shprehu pleqve se po fillonte të besonte që nuk kishte përse të kënaqej me çdo hollësi përpara se ta bënte pagëzimin, duke besuar se një veprim i tillë ishte ndoshta mënyra më e sigurt drejt përgjigjeve që kërkonte.
Një muaj më pas, Rikfordi u pagëzua. Më vonë, ai e pranoi se betejat e tij dhe veprimi i tij i besimit e ndihmuan të kishte një dëshmi të patundur për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. “Hetimi im përpara pagëzimit ishte një diçka kaq sfiduese dhe besimi im u vu në provë kaq thellësisht, veçanërisht nga fakti që nuk mund të mbaja priftërinë”, tha më vonë ai. “Por pasi e mposhta atë dhe pasi e mora përgjigjen nga Zoti, një përgjigje vetjake pikërisht për mua, mbeta tërësisht pa asnjë dyshim. E përshkruaj atë si të vazhdosh me besim të papërvojë.”9
Veprimi pa Priftërinë
Dy vjet më vonë, ai u takua me një grua që quhej Xhun Braun‑Stouks dhe ia prezantoi asaj ungjillin. Ajo u pagëzua dhe pas pak kohe u martuan. Gjatë kohës që shoqëroheshin, Xhorxhi ishte përpjekur ta ndihmonte Xhunin të kuptonte se çfarë domethënie do të kishin prejardhja e tij dhe moslejimi i priftërisë për martesën dhe familjen e tyre, por për një të kthyer të re në besim, u desh kohë që ndërlikimet të kuptoheshin vërtet.
“Këtë nuk e kuptova plotësisht derisa u martuam dhe patëm birin tonë të parë, Majkëllin”, tha Xhun Rikfordi. “Mund të kujtoj që i shihja të rinjtë duke shpërndarë sakramentin me Majkëllin në prehër dhe mendjen ma përshkonte mendimi: ‘Sa keq, Majkëlli nuk do të jetë kurrë në gjendje ta bëjë këtë’. Është atëherë që e kuptova vërtet atë që Xhorxhi ishte përpjekur të më tregonte.”10
Edhe pse Xhorxh Rikfordi ishte në gjendje të pagëzohej në mënyrë mëkëmbëse në Tempullin e Londrës në Angli për babanë e tij, që kishte ndërruar jetë kohët e fundit, familja Rikford nuk mund të vulosej në tempull dhe mundësitë e Xhorxhit për të shërbyer në Kishë ishin jashtëzakonisht të kufizuara nga fakti që ai nuk mbante priftërinë. Por që të dy e donin ungjillin dhe ishin të gatshëm të bënin gjithçka mundeshin për të shërbyer.
Për Rikfordin, kufizimet e tij në Kishë rrallëherë ishin bezdisëse. Iu kujtua një çast i shkurtër ankthi kur një mik, të cilit i kishte treguar për ungjillin, u pagëzua dhe brenda dy javësh ra në gjunjë përpara bashkësisë për të bekuar sakramentin. “Qëndrova atje në bashkësi dhe mendova: ‘Kam qenë në Kishë tani për shtatë vjet’”, kujtoi ai. “Dhe vetëm për gati gjysmë minute fillova të ndieja pak mëri. … Por më pas u largua dhe mendova: ‘Jo, unë gëzohem në Të’.”11
Rikfordi shkroi në vitin 1975 se ai e pranoi moslejimin e priftërisë “me besim, pa asnjë rezervë” dhe shprehu bindjen e vet se, pavarësisht nga gjendja e tij në atë kohë, Perëndia ishte i drejtë. “Jam thjesht mirënjohës që priftëria e Zotit është edhe një herë në tokë, me të gjitha bekimet, autoritetin dhe përgjegjësinë e saj shoqëruese. Për mua ka më pak rëndësi se kush e ka dhe kush nuk e ka atë, por ka më shumë rëndësi se si përdoret ajo.”12
“Jam thjesht mirënjohës që priftëria e Zotit është edhe një herë në tokë, me të gjitha bekimet, autoritetin dhe përgjegjësinë e saj shoqëruese. Për mua ka më pak rëndësi se kush e ka dhe kush nuk e ka atë, por ka më shumë rëndësi se si përdoret ajo.”
Xhorxh Rikfordi
“Një Natë Mbresëlënëse”
Duke dhënë mësim në seminar pothuajse që nga pagëzimi i tij, Rikfordi sa po përfundonte orën e tij të fundit mësimore të vitit në mbrëmjen e 9 qershorit 1978, kur një telefon ra në godinën e Kishës. Dikush po kërkonte presidentin e kunjit.
Rikfordi e mori telefonin dhe dëgjoi Majk Otersonin, kryetarin e Sektorit për Çështjet me Publikun në Ishujt Britanikë dhe një mik i Rikfordit, në anën tjetër të linjës. Pasi mësoi se presidenti i kunjit nuk ishte atje, Otersoni nuk mund ta përmbante veten pa ia treguar lajmin Rikfordit.
“Ai tha: ‘Ti e di, kjo është jashtëzakonisht jo e rregullt, por kam një letër këtu që do të doja vërtet të ta lexoja, Xhorxh’”, solli ndërmend Rikfordi. Otersoni vazhdoi të lexonte tekstin e Deklaratës Zyrtare 2. Deklarata e shtriu priftërinë tek të gjithë meshkujt e denjë, pavarësisht nga raca. Lajmi ishte kaq i papritur sa Rikfordit iu desh një çast që të kuptonte atë që po dëgjonte.
“Teksa ai lexonte, nënkuptimet e asaj që ai po lexonte u bënë të qarta për mua dhe thjesht ndjeva mornica të ma përshkonin gjithë trupin”, kujtoi ai. “Ai mbaroi dhe tha: ‘A je akoma aty?’ Thashë: ‘A po thotë atë që mendoj se po thotë?’ Prandaj ai tha: ‘Po’.”13
Duke nxituar drejt punës, Rikfordi i shkroi me të shpejtë një shënim bashkëshortes së vet dhe bëri që t’i çohej në shtëpi. Kur Xhuni e lexoi, mësuesja e saj vizitore, që ishte atje në shtëpinë e familjes Rikford, filloi të vallëzonte me Xhunin nëpër dhomë.
“Ajo e lexoi dhe kjo është fjalë për fjalë se çfarë tha”, solli ndërmend Xhuni. “Ajo bëri: ‘Uiii!’ Ajo tha: ‘Mund të mbash priftërinë!’ Dhe vallëzoi me mua nëpër dhomë. … U ula atje në ekstazë. U ula atje dhe nuk mund të thoja asnjë fjalë.”14 Gjithë natën, Xhorxh Rikfordi mori telefonatë pas telefonate teksa lajmi u përhap nëpër botë.
Sapo Xhorxhi u kthye në shtëpi, ai dhe Xhuni folën gjatë gjithë natës se çfarë domethënie do të kishte lajmi për familjen e tyre. Ndryshimi ishte madhështor. Të nesërmen në mëngjes Xhorxh Rikfordi u shugurua prift në Priftërinë Aarone. Dy muaj më vonë, ai u shugurua I Shtatëdhjetë dhe u bë anëtari më me përvojë i kuorumit të Të Shtatëdhjetëve të kunjit. Dhe dy muaj pas kësaj, Xhorxh dhe Xhun Rikfordi u vulosën në Tempullin e Londrës në Angli, së bashku me katër fëmijët e tyre.15
Të Qëndrueshëm në Besim
“Sa më shumë që di rreth ungjillit, aq më shumë e kuptoj se besimi te Perëndia dhe Biri i Tij është thelbi bazë për çfarëdo njohurie dhe ideje të mëtejshme në qëllimet e tyre për njerëzimin”, shkroi Rikfordi në vitin 1975. “E shoh të rëndësishme që, kur e pyeta Atin tim Qiellor gjithë zellshmëri nëse Kisha ishte e vërtetë, Ai nuk m’u përgjigj as ‘Po, është e vërtetë’ as ‘Jo, nuk është e vërtetë’. Në vend të kësaj, Ai më kërkoi ta demonstroja besimin dhe mirëbesimin tim tek Ai dhe te lajmëtarët e caktuar prej Tij, të cilët Ai i kishte dërguar të më jepnin ungjillin e rivendosur. Që nga ai çast vendosa të ushtroj më shumë besim në çështjet shpirtërore nga sa kisha ushtruar ndonjëherë më parë dhe t’ia lija në dorë Zotit që të më udhërrëfente në shtigjet e Tij, sepse Ai e dinte se zemra ime ishte e drejtë dhe se unë dëshiroja vetëm ta gjeja Atë dhe ta ndiqja Atë.”16
Jo shumë kohë pasi u hoq moslejimi i priftërisë, Rikfordi u mor në punë me kohë të plotë nga Sistemi Arsimor i Kishës që të punonte me programet e seminarit dhe të institutit në Angli. Në vitin 1985 u thirr si peshkop i Lagjes së Dytë të Birmingamit. “Nuk kam asnjë keqardhje të vetme që u bashkova me këtë Kishë”, pohoi Rikfordi. “Nëpërmjet saj jam afruar më pranë një njohurie dhe dëshmie për Jezu Krishtin sesa nga ndonjë rrugë tjetër nëpër të cilën kam udhëtuar në të shkuarën.”17