“Keni Ardhur më së Fundi”

Elizabet Maki

Nigeriani Ndërton Bashkësinë e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Pret për Misionarët

Antoni Obina, lart në të majtë

Kur misionarët e parë shenjtorë të ditëve të mëvonshme mbërritën në Nigeri në vitin 1978, kishte shumë pak nevojë për predikim të ungjillit. Për më shumë se 30 vjet, nigerianët që e kishin hasur Kishën në një mënyrë apo një tjetër, u kishin shkruar udhëheqësve të Kishës në Solt-Lejk-Siti, duke kërkuar literaturë dhe misionarë. Kur ata misionarë erdhën, ata gjetën bashkësi të shumta të gatshme për t’u pagëzuar praktikisht në ditën që ata mbërritën.

Antoni Obina, 1988

Antoni Obina u kishte shkruar zyrave qendrore të Kishës për shumë vjet në kohën kur Rendëll e Rejçëll Mejbi dhe Eduin e Xhenet Kenëni e kërkuan që të takoheshin një javë pas mbërritjes së tyre në Nigeri në nëntor 1978. Dy çiftet e misionarëve në moshë u nisën me taksi nga Port‑Harkorti me vetëm një ide të përgjithshme për vendmbërritjen e tyre. Si shumë njerëz në Nigeri, Obina jetonte në një shtëpi pa numër, në një rrugë pa emër, por misionarët e dinin fshatin, rrethin dhe shtetin e tij nga letrat që kishe shkruar. Pas një udhëtimi për tri orë, përfshirë disa ndalesa që të kërkonin ndihmë, ata u kthyen në një udhë që në të dyja anët kishte pemë bananesh dhe palmash, e cila përfundonte në një kishë të vogël.

“Pranë çatisë, me shkronja blu, ishin të shkruara fjalët ‘Shenjtorët Nigerianë të Ditëve të Mëvonshme’”, shkroi më vonë Rendëll Mejbi. Ai gjeti një derë të emërtuar “SHDM” dhe një tjetër të emërtuar “Shtëpia Misionare”. “Ishte një përvojë kurioze që të hasnim emrin e vetë kishës sonë”, shkroi Mejbi, “atje ku misionarët nuk kishin shkelur kurrë më parë.”

Misionarët e gjetën vendin të mbushur me njerëz, por jo Obinën. Kur mësoi se cilët ishin vizitorët e tyre, biri i Obinës shkoi të kërkonte të atin ndërkohë që misionarët shqyrtonin kishën.

Çifti Mejbi po admironte kishën e vogël me derën dhe kanatat e bukura blu dhe më pas shqyrtuan klasën e cila përdorej edhe si zyrë në gjysmën tjetër të godinës. Në klasë, programi për shërbesat e të nesërmes ishte shkruar me kujdes në dërrasën e zezë. Një kopje e librit Doktrina e Besëlidhje dhe disa kopje të Librit të Mormonit ishin në dispozicion për përdorimin nga anëtarët e klasës dhe raftet ishin të mbushura me botime të vjetra të revistës Ensign dhe gazetës Church News.

U deshën dy orë për Obinën – i cili e kishte ndërtuar këtë vend gjatë 13 viteve të pritjes – që të arrinte dhe më së fundi t’i jepte dorën dikujt që ishte i përgatitur për t’ia sjellë plotësisht Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.1

Një Zbulim Mahnitës

Më shumë se një dekadë më parë, Obina pati një ëndërr në të cilën një burrë iu shfaq dhe e çoi te një ndërtesë e bukur që nuk e kishte parë kurrë më parë. Obinën e futën brenda dhe i treguan gjithçka atje. Më vonë, ai pa përsëri të njëjtën ëndërr.

Më pas, pak vite më vonë, gjatë luftës civile në Nigeri, Obina u ngujua në shtëpinë e vet për t’u ruajtur. Ai mori një kopje të vjetër të revistës Reader’s Digest dhe u habit që pa pikërisht atë ndërtesë nga ëndrra e tij si figurën qendrore të një artikulli rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

“Kurrë më parë nuk e kisha dëgjuar fjalën mormonë”, shkroi Obina. “Që nga koha kur e mbarova leximin e historisë, nuk gjeja më prehje të mendjes. E gjithë vëmendja ime u përqendrua në zbulimin tim të ri. Dola jashtë me nxitim menjëherë që t’u tregoja vëllezërve të mi, të cilët të gjithë u habitën dhe u mahnitën kur dëgjuan historinë.”2

Do të kalonte edhe një vit përpara se gjendja politike në Nigeri ta lejonte Obinën që t’i dërgonte një letër zyrave qendrore të Kishës, prandaj nuk ishte deri në vitin 1971 që Obina i shkroi Solt-Lejk-Sitit për udhëzime. Ai mori disa pamflete dhe një Libër të Mormonit, por iu tha se Kisha nuk ishte e organizuar në Nigeri dhe se, në atë kohë, nuk kishte ende plane për ta bërë këtë gjë.

“Isha tërësisht i zhgënjyer”, kujtoi Obina, “por Shpirti i Shenjtë më nxiti që të vazhdoja të shkruaja. Shumë herë në ëndërr pashë disa prej misionarëve të Kishës duke diskutuar çështjet rreth Kishës.”

Ai vazhdoi të shkruante dhe ndërkohë që durimi i tij u vu nganjëherë në provë, ai nuk hoqi dorë nga dëshmia që ishte ndezur brenda tij.

“Ne nuk e kemi humbur kurajën aspak, por do të vazhdojmë ta ndjekim ushtrimin e besimit tonë të cilin e kemi gjetur se është i vërtetë”, shkroi ai në vitin 1976 si përgjigje të një letre tjetër që e nxiste Obinën të bënte gjithçka mundej vetë për atë kohë. “Jemi shumë optimistë që Zoti Ynë, Jezu Krishti, do të bëjë të mundur në të ardhmen që Kisha të ndërmarrë më shumë veprim të drejtpërdrejtë. Jemi shumë të vetëdijshëm që besimi ynë po vihet në provë. Po bëjmë gjithçka mundemi që ta ngremë të vërtetën mes sa më shumë prej fëmijëve të Atit Tonë Qiellor në këtë pjesë të botës.”3

Me të vërtetë, Obina ia mësoi ungjillin familjes së tij dhe kishte grumbulluar një bashkësi prej 71 anëtarësh në kohën kur çiftet Mejbi dhe Kenën mbërritën pesë muaj pasi Presidenti Spenser W. Kimball shpalli zbulesën që e hoqi kufizimin e priftërisë, gjë e cila për një kohë të gjatë kishte qenë një pengesë për punën misionare në Afrikën Perëndimore.

Durimi i Shpërblyer

Kur Antoni Obina arriti për t’i përshëndetur misionarët atë ditë nëntori të vitit 1978, pamja e tij ishte serioze, madje plot mendim.

Plaku Mejbi u befasua nga sa “solemn, fisnik dhe plot dinjitet” ishte Obina kur hyri në kishën e vogël, “sikur një shprehje e hapur entuziazmi në një çast të tillë mund të ishte gati një sakrilegj. Gjithsesi, sytë tanë u mbushën me lot. Ne të gjithë e ndiem fuqishëm bollëkun e Shpirtit të Perëndisë.”4

“Ka qenë një pritje e gjatë, e vështirë, por nuk ka më rëndësi tani. Keni ardhur më së fundi”, tha Obina.5

Prapëseprapë edhe durimi i Obinës kishte kufijtë e tij. Plaku Mejbi i tha se kishte bashkësi të tjera që misionarët nevojitej t’i vizitonin dhe llogariti se do të duheshin gjashtë javë përpara se të mund të ktheheshin për të bërë pagëzime. Por pritjes së Obinës i erdhi fundi.

“‘Jo, ju lutem’, tha ai qetësisht”, shkroi Mejbi më vonë. “‘E di që ka shumë të tjerë, por kemi pritur për trembëdhjetë vjet.’ Sytë e tij u mbushën me dëshirë të madhe. ‘Ju lutemi, nëse është e mundur nga ana njerëzore – vazhdoni tani me pagëzimet!’ Për pak sekonda thjesht qëndruam të ulur duke e parë njëri‑tjetrin në sy. ‘A janë gati shumica e njerëzve të tu?’ Pyeta më në fund. Antoni tundi kokën prerazi. ‘Po – absolutisht po! Ata e dinë, sikurse e di edhe unë, se ungjilli është rivendosur, por duhet të kemi udhërrëfim dhe drejtim. Le t’i pagëzojmë ata që janë më të fortë në besim tani dhe t’u japim mësim më tej të tjerëve.’ Shpirti ishte shumë i fortë, mirësia dhe dëshmia e burrit qartësisht të dukshme. ‘Në këtë rast’, thashë unë, ‘ne do ta kryejmë pagëzimin sa më shpejt që të jetë e mundur.’”6

Burrat vendosën një datë vetëm tri ditë më vonë dhe të martën, më 21 nëntor 1978, nëntëmbëdhjetë nigerianë u pagëzuan në lumin Ekeonumiri. Antoni Obina ishte i pari.

Një degë u organizua shpejt për të kthyerit e rinj në besim, me Antoni Obinën si presidentin e saj, vëllezërit e tij, Fransis dhe Rejmond, si këshilltarët e tij, dhe bashkëshorten e tij, Fidelian, si presidente të Shoqatës së Ndihmës.7

Pas shumë vitesh pritjeje dhe shprese, Obina dhe vëllezërit e tij i shkruan një lloj tjetër letre Solt-Lejk-Sitit pak kohë pasi u pagëzuan.

Antoni dhe Fidelia Obina në Tempullin e Loganit

“Tërë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në këtë pjesë të Nigerisë kanë kënaqësinë t’ju falënderojnë ju dhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme kudo në botë për hapjen e derës që Ungjilli t’i vijë popullit tonë në plotësinë e tij”, shkruan ata. “Jemi të lumtur për orët e shumta në Dhomën e Sipërme të Tempullit që i kaluat duke iu përgjëruar Zotit që të na sillte në tufë. E falënderojmë Atin tonë Qiellor që i dëgjoi lutjet tuaja e tonat dhe me anë të zbulesës e ka pohuar ditën e shumëpritur dhe na ka dhënë priftërinë e shenjtë, me fuqinë për të ushtruar autoritetin e saj hyjnor dhe për të gëzuar çdo bekim të tempullit. … Nuk ka dyshim që Kisha këtu do të rritet dhe bëhet një qendër e fuqishme për shenjtorët dhe do t’u sjellë përparim shumë prej njerëzve të Nigerisë sikurse po bën në të gjithë botën.”8

Obina shërbeu besnikërisht në Kishë për shumë vjet dhe në vitin 1989 ai u vulos me Fidelian në tempull gjatë një vizite në Logan të Jutës, ku po jetonte biri i tyre. Obina vdiq në vitin 1995, duke lënë një trashëgimi që nuk u kufizua vetëm te duzinat e pjesëtarëve të familjes të cilëve ua kishte sjellë ungjillin.

“Fara e ungjillit që ju e mbollët, do të rritet në një pemë gjigante”, i shkroi ai Rendëll Mejbit kur kohës së tij në Nigeri po i afrohej fundi. “Kisha në Nigeri do ta habitë botën me rritjen e saj. Numri i pagëzimeve, konfirmimeve dhe shugurimeve që kryet në këtë vend, tregojnë vetëm fillimin.”9