“Në Shtëpinë e Atit Tim Ka Shumë Banesa”

Xhonatan A. Stejpli dhe Emi Thirioti

Trashëgimia e Besimit e Grin Flejkut

Më 7 prill 1844, Jozef Smithi u ngrit në Konferencën e tij të fundit të Përgjithshme dhe dha atë që shumë besojnë se ishte predikimi i tij më i shkëlqyer. Tema e tij, marrëdhënia e njeriut dhe e Perëndisë, e shndërroi të kuptuarit e anëtarëve të kishës së rivendosur. Po atë ditë, Xhon Brauni, një misionar në Misisipi, shënoi në ditarin e vet se “ne shuguruam dy pleq në të njëjtën ditë, vëllanë Xhejms M. Flejk dhe Uashing[ton] N. Kukun. Gjithashtu pagëzova dhe dy burra zezakë, Alenin dhe Grinin, që i përkitnin Vëllait Flejk.”1

Grini lindi në skllavëri në plantacionin Xhordan Flejk pranë Uejdsboros, konteja Arsën në Karolinën e Veriut, në mes të viteve 1820.2 Më vonë, biri i Xhordanit, Xhejms Medisën Flejku, e çoi Grinin në Misisipi që të ndihmonte për të kolonizuar tokën që po boshatisej nga shpërngulja me detyrim e pesë fiseve të indianëve të Amerikës të cilët konsideroheshin të qytetëruar. Ishte në Misisipi që Xhejmsi, bashkëshortja e tij, Agnes Lav Flejku, dhe disa skllevër të tjerë u takuan me Plakun Benxhamin Klap dhe u bashkuan me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Familja Flejk udhëtoi fillimisht drejt Navusë në Ilinois, më pas drejt Lagjeve Dimërore. Kur kompania e parë e shenjtorëve u largua drejt Maleve Shkëmbore, tri familje të kthyera në besim nga Misisipi i dërguan skllevërit e vet më përpara me kompaninë pararojë të pionierëve. Skllevërit, Grin Flejku, Oskar Krosbi dhe Hark Lei (më vonë Uejlls), duhej të përgatitnin shtëpi për familjet në vendmbërritjen e tyre.

Edhe pse përmendjet nga anëtarët e kompanisë ndaj burrave zezakë që udhëtonin me ta, nuk ishin mjaft të hijshme, ata burra ishin pjesë jetike e shtegtimit të pionierëve.3 Kur Brigam Jangu dergjej i sëmurë në hyrje të kanionit Emigrimi, ai dërgoi Grinin dhe burra të tjerë që më parë për të përgatitur udhën. Grini ngau karron e parë që kaloi nëpër kanionin Emigrimi4 dhe kur Brigam Jangu mbërriti në luginë, Grini kishte mbjellë tashmë të lashtat. Kur Xhejms dhe Agnes Flejku arritën në luginën e Solt-Lejkut në tetor 1848, ata gjetën se Grini u kishte ndërtuar një kabinë të rehatshme druri në zonën e Kotonudit Jugor në luginën e Solt-Lejkut.

Pas pak kohe Xhejmsi vdiq dhe tre vjet më vonë Agnesi e ve dhe tre djemtë e saj të vegjël shkuan që të vendoseshin në San–Bernardino të Kalifornisë. Agnesi e mori skllaven e saj, Lizën, me vete, por e la Grinin në luginën e Solt-Lejkut. Disa vite më vonë, teksa Agnesi po vdiste, ajo e bëri Amasa Lajmënin t’i shkruante Brigam Jangut që t’i kërkonte atij ta shiste Grin Flejkun për të mbledhur fonde për familjen e saj. Asnjë shitje nuk ndodhi; Grini mund ta kishte konsideruar veten se e kishte marrë lirinë kur Xhejms Medisën Flejku vdiq në vitin 1850.

Grin Flejku u martua me Marta Krosbin, bijën e Vajlet Krosbit dhe gjysmëmotrën e Hark (Lei) Uellsit dhe Oskar Krosbit. Edhe pse ende skllave, Marta ishte pagëzuar së bashku me pjesëtarët e familjes Krosbi në Misisipi gati në të njëjtën kohë kur u pagëzua Grini. Grini dhe Marta patën dy fëmijë, Lusindën dhe Abrahamin. Grini qëndroi në një zonë të luginës së Solt-Lejkut të njohur si Unioni për pjesën tjetër të jetës së tij. Ai punoi tokën e tij dhe u përfshi në ndërmarrje minatore me pjesëtarët e familjes së Martës, Hark Uellsin dhe Majlls Liçfordin. Grini ishte një anëtar aktiv i lagjes Union.

Kapësja për Jubileun Gjysmëshekullor i Pionierëve të Jutës që iu dha Grin Flejkut në vitin 1897.

Teksa vitet kalonin, Grini u bë një folës i shumënjohur në kremtimet e Ditës së Pionierëve. Gjatë kremtimeve të vitit 1894, “Grin Flejku … mbajti një fjalim interesant, ku tha se qe krenar që i përkiste atij grupi të respektueshëm dhe të nderuar [të pionierëve të vitit 1847]”5. Në vitin 1896, Grini u shpërngul në Grejs‑Lejk të Ajdahos që të ishte pranë fëmijëve dhe nipërve e mbesave të veta, por u kthye në Solt-Lejk-Siti në 1897‑ën për kremtimin e përvjetorit të Ditës së Pionierëve. Një artikull gazete përshkroi pionierët që ishin ende gjallë dhe shpalli se “njëri nga më interesantët e këtyre pionierëve të vjetër ishte Grin Flejku, i vetmi burrë me ngjyrë që ende jetonte nga grupi i 1847‑ës. Grini është një zotëri i moshuar energjik, shpatullgjerë, shpirtmirë, i mprehtë, banor i kontesë së Solt-Lejkut për shumë kohë, që tani jeton në Xhon‑Grejs‑Lejk të Ajdahos. Ai përdor syze, por kjo është e vetmja shenjë e moshës së shkuar tek ai. Zëri i tij mund të merret për një trumbetë dhe kur ecën i hedh hapat si të kishte mbaruar akademinë ushtarake Uest Point.”6

Greni vdiq në vitin 1903.7 Gazeta Deseret Evening News tha në kohën e vdekjes së tij se “Vëllai Flejk kishte arritur moshën e nderuar të 76 viteve, që do të thotë, për të gjithë ata që e njihnin, 76 vjet pune të ndershme, të shumtë për përmirësimin e njerëzimit dhe për një ekzaltim në mbretërinë e Atit të tij”8.

“Vëllai Flejk kishte arritur moshën e nderuar të 76 viteve, që do të thotë, për të gjithë ata që e njihnin, 76 vjet pune të ndershme, të shumtë për përmirësimin e njerëzimit.”

Deseret Evening News

Gjashtëdhjetë vjet më parë, kur Grini u bashkua me kishën, një i shtatëdhjetë zezak, i quajtur Elajxha Abel, sapo ishte kthyer nga një mision dhe anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve po e përkrahnin propozimin e Jozef Smithit që t’u jepej liria të gjithë skllevërve në Shtetet e Bashkuara.9 Megjithatë, jo shumë kohë pasi Grini mbërriti në Basenin e Madh, udhëheqësit e kishës filluan të mos i përfshinin burrat e zinj në priftëri, një ndryshim që e kufizoi edhe lejimin e anëtarëve të zinj në tempull.

Pavarësisht nga ky ndryshim, Grini e jetoi jetën e vet me besim të plotë.10 Ai gdhendi një gur varri për bashkëshorten e tij të cilin më së fundi e pati të përbashkët me të në varrezën Union. Mbi emrin e tij është gdhendur me një tekst tani të gërryer nga moti dhe që mezi lexohet: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa”. Kjo thirrje u bëri jehonë ndjenjave që Jozef Smithi predikoi ditën kur Grini u pagëzua: “Ka shumë banesa në Mbretërinë e Atit tim. Çfarë kemi që të na ngushëllojë në lidhje me të vdekurit? Ne kemi shpresën më të madhe në lidhje me të vdekurit tanë sesa çfarëdo populli në tokë. Ne i kemi parë ata të ecin me denjësi në tokë dhe ata që kanë vdekur me besim tani … kanë shkuar të presin ringjalljen e të vdekurve, për të shkuar në lavdinë çelestiale.”11